Info Islame - Informohu 24h Online me Islam

Switch to desktop Register Login

Akika: Definicioni, dispozita dhe koha e saj

Shperndaje kete artikull ne rrjete sociale

1) Definicioni i akikas

Në Gjuhën Arabe, fjala akika rrjedh prej fjalës akk që dmth: prerje, këputje. Kjo fjalë përdoret për prerjen e flokëve të foshnjës kur ai lind.

Në aspektin sheriatik, akika është: Kafsha që theret për foshnjën e lindur, kur ai plotëson shtatë ditë, kur edhe i priten flokët.

Akika është obligim i prindit ndaj fëmijës së tij.

2) Dispozita e akikas

Akika është sunnet i fortë (sunneh muekkedeh). Selman ibën Amir edhDhabbij radijAll-llahu anhu thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Për çunin bëhet akika: therni kurban kur t’ju lindë dhe qethjani flokët!” [1]

Semure radijAll-llahu anhu transmeton se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo çun është peng i akikas së tij, e cila theret në ditën e shtatë dhe atë ditë i caktohet emri dhe i rruhet koka.” [2] Abdullah ibën Amr ibnul As radijAll-llahu anhuma transmeton se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kujt i lind një fëmijë dhe do të therë kurban, le të therë!” [3]

3) Koha e therjes së akikas

Koha kur lejohet të theret akika fillon në çastin kur foshnja ndahet tërësisht prej barkut të së ëmës. Koha më e preferuar vazhdon deri kur të hyjë fëmija në pubertet, por sunnet është që ajo të bëhet shtatë ditë pas lindjes, në bazë të hadithit të Semures radijAll-llahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çuni është peng i akikas së tij. Ajo theret në ditën e shtatë dhe atë ditë emërtohet dhe i rruhet koka.” [4]

Sa duhet të theret për akika

Sunnet është që për çun të theren dy dele, kurse për vajzë një dele. Ummu Kerz elKa’bije radijAll-llahu anha thotë: E dëgjova Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Për çunin theren dy dele të barabarta, kurse për vajzë një dele.” [5]

Emërtimi i foshnjës, rruajtja e kokës së tij, ëmbëlsimi me hurma (tahnik) dhe këndimi i ezanit në vesh

1) Emërtimi i foshnjës

Sunnet është që foshnja të emërtohet në ditën e shtatë pas lindjes së tij, në bazë të hadithit të Semures radijAll-llahu anhu ku Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Secili çun është peng i akikas së tij. Ajo theret në ditën e shtatë dhe atë ditë emërtohet dhe i rruhet koka.” [6]

Sunnet është që t’i zgjidhet një emër i bukur. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ua ndërronte sahabeve emrat me kuptime të këqija dhe ka urdhëruar që emrat e këqij të ndërrohen. [7] Emrat më të mirë janë: Abdullah dhe Abdurrahman. Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma transmeton se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Emrat më të dashur tek All-llahu janë: Abdullah dhe Abdurrahman.” [8]

2) Rruajtja e kokës së foshnjës

Sunnet është t’i rruhet koka foshnjës – si çunit ashtu edhe vajzës – në ditën e shtatë edhe atë pasi që të theret akika, pastaj duhet të jepet lëmoshë argjend, në peshën e flokëve të saja. Aliu radijAll-llahu anhu transmeton: Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem theri një dele si akika për Hasenin, pastaj tha: “Oj Fatime! Rruaja kokën dhe jep lëmoshë argjend sa peshojnë flokët e tij!” [9]

3) Ëmbëlsimi i foshnjës me hurma

Sunnet është që foshnja të ëmbëlsohet me hurma, si për çun ashtu edhe për vajzë.

Ëmbëlsimi bëhet duke e përtypur hurmën, pastaj me të i fërkohet qiellza foshnjës, deri sa t’i shkojë diç prej saj në lukth. Transmetohet nga Ebu Musa radijAll-llahu anhu të ketë thënë: “Më lindi një çun. Unë e mora atë dhe e shpura te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ai e emërtoi Ibrahim dhe e ëmbëlsoi me hurma.” [10] Aisha radijAll-llahu anha tregon se “Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia sillnin foshnjat dhe ai i ëmbëlsonte me hurma.” [11]

4) Këndimi i ezanit në vesh

Preferohet që t’i këndohet ezani në vesh foshnjës menjëherë pasi që të lindë. Disa thonë që ezani t’i këndohet në veshin e djathtë, kurse në të majtin ikameti. Transmetohet nga Ebu Rafi’u radijAll-llahu anhu të ketë thënë: “E pashë Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke ia kënduar Hasenit, të birit të Aliut ezanin në vesh kur e lindi Fatimja.” [12]

Fundnota:

[1] Buhariu 6\217.

[2] Ahmedi 5\7, 8, 12; Ebu Davudi nr. 2837; Tirmidhiu nr. 1522; Nesaiu 7\166; Hakimi e ka bërë sahih dhe me të është pajtuar Dhehebiu – Mustedrek 4\237. Albani e bën sahih në Sahih enNesai nr. 3936.

[3] Ebu Davudi 2842; Nesaiu 7\162; Ahmedi 2\182. Albani e ka bërë sahih në Sahih enNesai nr. 3928.

[4] Shih fusnotën numër 2 në këtë faqe.

[5] Ahmedi 6\381; Ebu Davudi 3\257; Nesaiu 7\165. Albani e bën sahih në Sahih enNesai nr. 3931.

[6] Shih faqen paraprake.

[7] Shih: Fet’hul Bari 10\577.

[8] Muslimi 3\1682 .

[9] Ahmedi 6\390, 392; Maliku në Muvetta’ faq. 259; Tirmidhiu nr. 1519; Hakimi 4\237; Bejhekiu 9\304. Shejh Albani e bën hasen në Sahih etTirmidhij nr. 1226.

[10] Buhariu 6\216 dhe Muslimi nr. 2145.

[11] Muslimi nr. 2147.

[12] Transmeton Tirmidhiu nr. 1514, i cili thotë: “Hasen sahih.” Shejh Albani e bën hasen në Sahih etTirmidhij nr. 1224.

Shkëputur nga libri: “Fik’hu i Lehtësuar në Dritën e Kur’anit dhe Sunetit


Te gjitha te drejtat e rezervuara - InfoIslame.com 2012 - Hosting & Design: DizajniIslam

Top Desktop version