Category: Bote Published on Wednesday, 08 August 2012 02:59
Aleppo në Siri është bërë qendër e predhave, frikës dhe mjerimit.
Monitoruesit e Kombeve të Bashkuara lanë këtë vend pasiqë përleshjet ndërmjet forcave rebele dhe atyre të regjimit po intensifikohen dukshëm.
“Kemi tërhequr ekipin tonë monitorues nga Aleppo, për shkak të përkeqësimit të situatës atje”, tha zëdhënësja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Siri, Juliette Touma.
Ajo ka thënë se ekipi do kthehet kur situata të jetë më e qetë.
“Kjo është një tërheqje e përkohëshme dhe ne do qëndrojmë në Damask, shpresojmë se do të rikthejmë ekipin kur situate të jetë më e qetë”, ka thënë ajo.
Mirëpo çka për njerëzit që jetojnë nën predha?
Ata janë të frikësuar nga situata e përgjakshme. CNN raporton se linja të gjata me njerëz janë parë në Aleppo për të marrë bukë.
Për një bukë, sipas raportit, presin rreth 100 njerëz dhe pritja është e gjatë 90 minuta.
Situata në Siri vazhdon të jetë e paqartë, me predha, frikë dhe mjerim derisa situata politike për Sirinë, duket se po bëhet çdoherë e më shumë “hedhje topi nga njëra anë, në anën tjetër”.